Kenia, gjykata shpëton numrin më të madh të refugjatëve

09/02/2017 00:00

Gjykata e Lartë e Kenias shpëtoi mbase më shumë refugjatë se çdo gjykatë tjetër në botë, duke bllokuar përpjekjen e qeverisë keniane për të mbyllur kampin e refugjatëve “Dadab”, më i madhi në botë.

Vitin e kaluar, qeveria e Kenias miratoi një direktivë për të mbyllur kampin dhe për të riatdhesuar me forcë mbi 260 mijë refugjatë somalezë që jetojnë atje.

Afati përfundimtar për mbylljen e atij që tashmë quhet “qyteti i refugjatëve” është muaji maj, por Gjykata e Lartë e Kenias vendosi se dëbimi i refugjatëve do të ishte një akt persekutimi.

Qeveria e Kenias, e cila e mori vendimin e mbylljes së kampit për arsye sigurie, tha se po për të njëjtat arsye do ta apelojë vendimin. Sipas qeverisë, grupi terrorist somalez “Al Shabab” kishte planifikuar sulme ndaj Kenias nga brenda këtij kampi.

Zyrtarë të qeverisë thanë se kampi “Dadab” e kishte humbur natyrën e tij humanitare dhe është shndërruar në një parajsë për terroristët dhe aktivitete të tjera kriminale. Kampi “Dadab” u ndërtua në vitin 1991 për familjet që i largoheshin konfliktit në Somali, e shumë njerëz jetojnë aty prej më shumë se 20 vitesh.

Direktiva e qeverisë u kundërshtua në gjykatë nga Komisioni kombëtar i Kenias për të Drejtat e Njeriut dhe gjykata vendosi se plani qeveritar ishte një akt persekutimi dhe diskriminimi në grup, pra antikushtetues.

Vendimi i gjykatës thotë se qeveria, pavarësisht planit për ta apeluar atë, duhet të rinisë operacionet e zakonshme në kamp, si zyrat e regjistrimit apo qendrat shëndetësore që ishin mbyllur.

Top Channel