I mposhtur nga opinioni publik, ministri rumun i Drejtësisë Florin Iordache dha dorëheqjen nga posti, duke sqaruar në një konferencë të shkurtër për shtyp se nismat e ndërmarra prej tij ishin krejtësisht legjitime dhe kushtetuese, por për popullin kjo mesa duket nuk mjafton.

“Që në momentin që u bëra ministër Drejtësie, mora zotimin dhe i hyra të gjitha përpjekjeve ligjore për të zgjidhur një sërë problemesh ekzistuese dhe shumë delikate. Projektet e propozuara nuk janë aspak sekrete. Ato janë hedhur në diskutim publik e tani kanë kaluar edhe në Parlament. Të gjitha këto, megjithatë, nuk i kanë mjaftuar opinionit dhe unë për këtë arsye vendosa të dorëhiqem”, tha Florin Iordache, ministër Drejtësie në Rumani.

Mediet rumune raportojnë se, pak përpara njoftimit të Iordache ka pasur një përplasje të fortë mes tij dhe kryeministrit Sorin Grindeanu.

Të mërkurën, qeveria rumune i mbijetoi me shumë lehtësi një mocioni mosbesimi në Parlament, e kjo vetem 3 ditë pasi protestat masive popullore e detyruan ekzekutivin të hiqte dorë nga dekreti polemizues për zbutjen e dënimeve në rastet e korrupsionit.

Tubimet kanë vazhduar në Bukuresht, edhe pse numri i demonstruesve është goxha më i ulët. Pjesëmarrësit në protesta këmbëngulin se qeverisë aktuale nuk mund t’i zihet besë dhe kërkojnë në vazhdimësi dorëheqjen e saj.

Top Channel