Shtyhet vendimi për Ramush Haradinajn

09/02/2017 00:00

Këtë të enjte gjykatat franceze pritej të dilnin me një vendim në lidhje me Ramush Haradinajn, i ndaluar që në fillim të muajit janar nga autoritetet e këtij vendi në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë.

Por në mediat e Kosovës raportohet se vendimi është shtyrë. Indeksionline shkruan se vendimi do të bëhet zyrtar më 2 mars.

Indeksonline mëson se vendimi për Ramush Haradinajn është shtyer. Mësohet se ky vendim do të bëhet zyrtar me datë 2 mars.

Më herët, avokati mbrojtës i Haradinajt, Arianit Koçi është shprehur i bindur se kryetari i AAK-së do të lihet i lirë nga autoritetet franceze.

“Kërkesa e Serbisë për ekstradim është e pabazuar dhe krejtësisht politike”, citohet të ketë thënë ai, duke kujtuar deklaratat e politikanëve serbë: kryeministrit, ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Jashtëm.

“Të mos harrojme se Aleksandar Vuçiç ka qenë ministër i Informacionit në kohën e Millosheviçit dhe Ivica Daçiç zëdhënës i partisë SPS”, ka kujtuar juristi i ish-kryeministrit.

Sipas palës mbrojtëse, “pushtetarët e Serbisë nuk do t’ia falin kurrë Haradinajt anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftën ndaj politikës se genocidit të pushtetit të Millosheviçit”.

Politikanët serbë ndërkohë i kanë përshkallëzuar presionet. Pretendimeve të organeve juridike dhe krerëve të shtetit për ekstradimin e ish-liderit të UÇK-së i janë bashkuar së fundi edhe deputetë serbë, të cilët pretendojnë se të gjithë popujt në rajon kanë vuajtur pasojat e luftërave të kaluara, por populli serb në Kosovë ka qenë në arsyetimin e tyre absurd “një prej viktimave më të mëdha”.

Top Channel