I dehur rrahu nënën, dënohet 9 muaj burg

09/02/2017 00:00

Kushtet e vështira ekonomike dhe debatet për to e kanë shtrirë dhunën në familje edhe ndaj nënave.

E tillë është historia e Florjan Shahinasit, i cili do të vuajë 9 muaj burgim për dhunë të rëndë fizike që ka ushtruar ndaj nënës së tij.

Policia e ka gjetur nënën e dhunuar në ambientet spitalit, me dëmtime dhe thyerje të shumta. Në spital, gruaja ka dhënë edhe dëshminë e parë ndaj të birit.

“Rreth orës 18:30 të asaj dite po flija gjumë dhe im bir, Florjani, sapo erdhi nga Vlora, vend ku punonte. Iu afrova për ta përqafuar, por ai më shtyu sepse ishte i pirë. Mandej nisi të më shajë dhe të më godasë me grushte. U mundova të mbrohem me duar, por im bir vijoi duke thyer sendet e shtëpisë dhe duke më qëlluar me çfarë i kapte dora”, rrëfeu gruaja.

Ndërkohë djali dhunues ka deklaruar se e ëma nuk e besonte që nuk ia jepnin lekët për punët e kryera dhe e akuzonte se i prishte paratë duke pirë alkool.

Por fakti që akti i dhunës ka ndodhur kur i pandehuri Shahinasi ishte në gjendje të dehur e hedh poshtë alibinë e tij. Madje, sipas policisë ai ka qenë aq i dehur, saqë e kanë gjetur në gjumë pasi kishte dhunuar të ëmën.

Me gjithë pendesën dhe faljen që e ëma i ka bërë, gjykata e ka dënuar Florjan Shahinasin me 9 muaj burgim.

Top Channel