Shëndetësia elektronike, Beqaj e Harito prezantojnë projektin

09/02/2017 00:00

36 milionë euro do të jenë në funksion të shëndetësisë elektronike. Përveç recetës elektronike, tanimë çdo e dhënë shëndetësore që regjistrohej në kartën mjekësore të pacientit, do të ruhet në mënyrë elektronike.

“Do të kalojmë nga kartela mjekësore, te një çip. Të dhënat do të jenë aty. Ju do t’i aksesoni më lehtë këto të dhëna, ndërsa qytetarët nuk do të kenë gjithmonë një dosje të madhe me vete. Edhe referimi që jepni ju si mjekë për një mjek specialist do të bëhet në mënyrë elektronike”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.

Gjithçka do të realizohet nëpërmjet programeve e_healthy, projekt i cili, ministrja e Inovacionit vlerësoi se në këtë mënyrë shmangen burokracitë e tepërta. Milena Harito tha: “Të gjitha këto sisteme krijojnë më shumë transparencë, pakësojnë mundësinë për korrupsion dhe për abuzim”.

Ky projekt u prezantua para mjekëve të familjes, të cilët së shpejti do të pajisen me USB, që do të shërbejë si kod i tyre për të hyrë në sistem, por nga ana tjetër përmban firmën dhe vulën e mjekut.

Top Channel