Basha, ftesa për protestë; kreu i PD thërret të rinjtë

09/02/2017 00:00

Lulzim Basha ka dalë vetë të shpërndajë me të rinjtë ftesat për protestën e 18 shkurtit. Protesta është për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por kreu i opozitës e ka bashkuar protestën me fushatën elektorale dhe në fokus janë të rinjtë.

“U jap fjalën sot, jo vetëm këtyre të rinjve, por të gjithë të rinjve shqiptarë. Akti im i parë do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë”, deklaroi Basha.

Përveç financimit të universiteteve publike kreu i opozitës ka një plan edhe për të sapodiplomuarit.

“Do të financojmë stazhe pune të paguara për një vit për 10 mijë të rinj. Këto janë zgjidhjet që do të japë qeveria ime që vitin e parë. Po, kushtojnë 24 milionë euro në vit, që 10 mijë shqiptarë të mos rrinë kafeneve por të fillojnë një stazh pune të paguar nga shteti muaj për muaj për një vit”, tha Basha.

Por sipas Bashës, asgjë nuk mund të ndodhë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Më 18 shkurt nuk kemi thjesht një protestë opozitare, por fillimin e një lëvizjeje popullore për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur dhe mundësitë për çdo shqiptar, për çdo të ri në vend”, u shpreh Basha.

A pret opozita që kryeministri Rama të japë dorëhqejen për shkak të protestave? “Unë pres që qytetarët të ngrihen dhe bashkë të largojmë të keqen”, u shpreh Basha.

Top Channel