“Deja vu” për në Rinas, grabitet autoblinda e një banke

09/02/2017 00:00

Është përsëritur grabitja e makinave të bankës që transportojnë para drejt Rinasit, në Tiranë.

Këtë të enjte, “viktimë” e një sulmi dhe më pas e një grabitjeje ka rënë makina e një banke të nivelit të dytë, rrugës për në aeroport.

Burime policore bëjnë me dije se makina është grabitur në Qafë Kashar nga një grup personash të armatosur.

Autorët kanë djegur pas grabitjes mjetin me të cilin kryhen krimin. Policia është vënë në ndjekje të tyre me një helikopter nga ajri dhe me disa postoblloqe të ngritura rrugëve.

Ndërkohë, dëshmitarë nga vendi i ngjarjes tregojnë për Top Channel se panë një mjet “Jeep” që goditi në pjesën e parme furgonin e blinduar që transportonte paratë.

Më pas, prej andej dolën persona të maskuar dhe me armë në duar, të cilët qëlluan në ajër dhe me mjete plasëse shpërthyen dyert.

Dëshmitarët thonë se punonjësit e policisë private që siguronin mjetin e bankës u dhunuan dhe pas marrjes së parave mjeti i grabitësve u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel