“Zharrëza” zbret në Kuvend, debat Blushi-Braçe-Berisha

09/02/2017 00:00

Greva e banorëve në Zharrëz për shkak të lëkundjeve të tokës të shkaktuara nga kërkimet për naftë nga kompania “Bankers” ka shkaktuar një tjetër debat në seancën e sotme të Kuvendit.

Ka qenë deputeti Ben Blushi që ka akuzuar qeverinë, por edhe qeveritë, se për hir të bakshisheve nga kompania kanadeze kanë injoruar gjendjen e vështirë në të cilën jetojnë banorët e këtij fshati.

“Zharrëza është braktisur nga qeveritë ndër vite dhe nuk jep askush një lajm. Aty nxirret naftë nga puset me ujin teknologjik, duke shkaktuar tërmete. Nuk e di se si mund të jetojë dikush prej nesh në një shtëpi që tundet 5 herë në ditë, me fëmijët”, ka deklaruar Blushi.

Blushi ka sjellë në sallën e Parlamentit edhe një shishe me ujë të mbushur në Zharrëz, të cilin, siç tha ai, duhet ta pijë kryeministri dhe ministrat e tij.

“Ta pijë kryeministri, të shohë ç’shije ka uji i helmuar, që helmohet përditë nga një kompani që paguan bakshish majtas e djathtas”, ka thënë më tej Blushi.

Ai ka shtuar më tej se, edhe dëmshpërblimin për shtëpitë e dëmtuara nuk e paguan “Bankers”, por buxheti i shtetit, sikur të ishte tërmet natyror.

Reagon Erion Braçe

Ndaj deklaratave të Blushit ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe, i cili i ka kujtuar ish-kolegut të tij se ndaj “Bankers” janë marrë masa konkrete, të cilat sipas tij po trajtohen në arbitrazh.

“Qeveria është në arbitrazh me “Bankers” për miliona euro. Qeveria, me Ministrinë e Brendshme, është angazhuar në një hetim për ato tërmetet e shkaktuara nga kompania”, ka thënë Braçe.

Berisha: Qeveria po zhvat me gjoba “Bankers”

Në debatin mbi lëkundjet e tokës në Zharrëz nga kompania e naftës “Bankers” është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e tij në seancën plenare, Berisha ka deklaruar se, “Bankers” ka punuar mirë për Shqipërinë, por qeveria aktuale kërkon sipas tij ta zhvasë.

““Bankers” ka ardhur nga një kontratë e nënshkruar nga qeveria socialiste para vitit 2005. Vazhdoi në vitet e tjera dhe ka qenë taksapaguesi kryesor në Shqipëri, nga 200 milionë euro në vit. Kompania bëri të famshme Shqipërinë në botë. “Bankers” i shërbeu Shqipërisë në Shqipëri”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, problemet lindën me ndërrimin e pushteteve në vitin 2013.

“Problemet në Zharrëz janë serioze, por nuk po luftohet për të zgjidhur problemin, por për të zhvatur me gjoba kompaninë. Ju e sulmoni sepse doni ta fusni kompaninë nën sundimin e Besnik Sulës, që ju shpërblen mirë juve”, ka thënë Berisha.

Në vijim të akuzave ndaj qeverisë, Berisha është shprehur se, “suksesi juaj është kanabizimi i Shqipërisë, tritoli dhe kriminalizimi i policisë”.

Top Channel