Patozi: Partnerët qeverisës po hanë kokat. 18 shkurti, pa lidhje me Rumaninë

09/02/2017 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në fjalën e tij në Kuvend ka deklaruar se, Shqipëria ndodhet sot në një periudhë plaçkitjeje nga të dy partnerët qeverisës.

“Nuk ka njeri të besojë se Rama dhe Meta po zihen për çështje parimesh apo doktrine”, ka thënë Patozi.

Sipas tij, në këtë situatë kemi të bëjmë me një luftë “të pazakontë” brenda llojit. “A është normale kur gjysma e qeverisë punon kundër gjysmës tjetër?”, ka thënë Patozi.

Ai ka theksuar se, përplasja nuk bëhet për probleme që me të vërtetë shqetësojnë Shqipërinë, si “për shëndetësinë falas të Ilir Beqjas, për kanabisin e Tahirit, apo për Edi Ramën që del kudo”.

“Kjo qeveri ka rënë”, ka vijuar Patozi, duke u shprehur se, dy partnerët qeverisë po përplasen “për t’i ngrënë kokën njëri-tjetrit”.

“Si t’i quajmë ministrat që denoncojnë kolegët e tyre në qeveri si trafikantë, hajdutë e përdhunues? Kjo është e vetmja në botë. Por megjithatë nuk i pengon të dy “padrinot” të thonë se koalicioni funksionon”, ka thënë Patozi.

Por më tej në fjalën e tij, ai ka kritikuar edhe protestën e paralajmëruar nga opozita, e cila është krahasuar me atë të qytetarëve në Rumani.

“Ka shumë që e lidhin protestën e 18 shkurtit me protestën në Rumani, ndërsa qeveria dhe zërat afër saj thonë se nuk mund të ketë ngjashmëri mes dy vendeve. Mund të ngjajë paradoks, por unë jam me të dytët. E mendoj këtë sepse ne jemi shumë më mbrapa se Rumania. Në Rumani po protestohet kundër zbutjes së reformës në drejtësi, ndërsa këtu po punohet për ta penguar reformën”, ka thënë Patozi.

Sipas tij, edhe reforma në drejtësi është kthyer në një betejë mes krerëve të koalicionit qeverisës.

“Rama kërkon ta rrëmbejë drejtësinë, ndërsa Meta ta mbajë kështu siç është. Kjo qeveri nuk njeh gjë tjetër veç numrave. Sali Berisha shpiku “Shqipërinë Dixhitale”, këta po e zbatojnë”, ka thënë më tej Patozi.

Top Channel