Vëzhgimi, gjykatat nuk regjistrojnë audion

09/02/2017 00:00

Seancat gjyqësore në Shqipëri duhet të regjistrohen përmes sistemit audio për të rritur transparencën e gjykatave. Por ndonëse ligji e dikton një gjë të tillë, në praktikë ajo shpesh nuk ndodh.

Në bashkëpunim me rrjetin investigativ BIRN, “Zëri i Amerikës” ka kontrolluar mangësitë e këtij procesi, duke vënë re se nuk mungojnë rastet kur gjyqtarë të veçantë dyshohet ta kenë refuzuar qëllimisht përdorimin e këtij sistemi, i cili që prej 2013-s është në fakt i detyrueshëm.

Shmangia e një veprimi të tillë jo vetëm përbën shkelje të Kodit të Procedurës Civile, kujton VOA, por është dhe argument për nisjen e një procesi disiplinor ndaj gjyqtarit.

Megjithatë, gjatë tre viteve të fundit, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka proceduar vetëm një gjyqtar për këtë arsye, ndërsa në proces verifikimi janë 8 gjyqtarë të tjerë.

Sipas Inspektoriatit, 2 gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, 1 i Gjykatës së Shkodrës, 4 të gjykatave administrative të Apelit dhe 1 gjyqtar i rrethit gjyqësor të Kavajës rezultojnë me përdorim të ulët të sistemit audio në verën e vitit 2016.

Të dhënat e monitorimit tregojnë se në disa gjykata është arritur regjistrimi i 100 për qind i seancave, por në mjaft gjykata të tjera ky nivel është në pragun e 20 përqindëshit.

Nivelin minimal rezulton ta ketë Gjykata e Tiranës, ajo e Elbasanit, gjykata e Durrësit, disa gjykata administrative të shkallës së parë dhe të Apelit.

Sipas drejtuesve të Inspektoriatit të KLD-së, problem madhor në këtë drejtim përbën edhe mungesa e infrastrukturës.

Top Channel