Maqedoni, Hahn ndërmjetës i krizës? Takon krerët politikë në Maqedoni

09/02/2017 00:00

Komisioneri europian për negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ka kërkuar nga udhëheqësit politikë në Shkup gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë në formimin e qeverisë së re maqedonase.

Në takimin me komisionerin Hahn, kryeministri në detyrë Emil Dimitriev tha se, deklaratat dhe veprimet e disa politikanëve nga vendet fqinje shkaktojnë ndjenja negative te qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në funksion të përparimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ndërkohë, LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe BDI-ja e Ali Ahmetit vijojnë konsultimet, por kusht në tryezë mbetet zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe.

VMRO-ja e Gruevskit ka kërcënuar partinë rivale LSDM, se qeveria e re do të përballej me shumë probleme nëse nuk formohet nga subjektet që kanë fituar zgjedhjet. Ish-kryeministri Nikola Gruevski këmbëngul se, zgjedhjet e parakohshme janë mundësi për shtetin, pasi në të kundërt – sipas tij, – kriza politike do të thellohet.

Gjithsesi, komisioneri Hahn deklaroi nga Shkupi se nuk ka sjellë sugjerim konkret për formimin e qeverisë maqedonase.

“Qëndrimi ynë është që qeveria e re të formohet sa më shpejt, pasi ka shumë sfida në fushën e reformave, gjyqësorit, sigurisë dhe në ndjekjen e rrugës euroatlantike. Realisht unë nuk kam sjellë asnjë sugjerim konkret për partitë. Por ata duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre dhe të vendosin në të mirë të perspektivës së popullit”, tha Hahn.

Në Shkup, krahas bisedimeve për qeverinë e re maqedonase, komisioneri Hahn ofroi mbështetje për ministrat e Energjisë të rajonit, për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike, si dhe për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Top Channel