Pasarela e Tommy Hilfigerit ishte një shëtitore e hapur në plazhin “Venecia” të Kalifornisë. Koleksioni më i fundit i stilistit të famshëm amerikan vjen në bashkëpunim me modelen Gigi Hadid, çfarë shpjegon dhe titullin e tij “Tommy x Gigi”.

Hilfiger ka ndryshuar strategji prej kohësh, duke i bërë shfaqjet e tij më të ngjashme me spektaklet e bujshme të “Victoria’s Secret”. Mënyra e re e të vepruarit i lejon konsumatorët të blejnë drejtpërdrejt veshjet që iu pëlqejnë nga koleksioni, në vend që të presin me muaj të tërë, siç ndodh zakonisht, derisa ato të jenë në shitje për të gjithë.

“Është shumë e rëndësishme të dëgjosh konsumatorin, sepse ai kërkon ta ketë menjëherë kënaqësinë e blerjes. Do që t’i blejë gjërat aty në vend, e dëshiron këtë lloj eksperience. Dhe ne si firmë liberale na pëlqen t’iu krijojmë mundësinë e qasjes ndaj krijimeve cilësore dhe të përballueshme financiarisht”, tha Tommy Hilfiger, stilist.

Zhvendosja e shfaqjes nga Neë York në Los Angeles u frymëzua nga Hadid, e lindur dhe rritur në Kaliforninë e Jugut. Në mesin e të ftuarve ishte dhe këngëtarja Lady Gaga.

Hilfiger e kishte mbushur koleksionin me ngjyra të kuqe, të bardha, të zeza e blu, ndërsa nuk mungonin dhe motivet në formë mozaiku, të preferuarat e bukuroshes Hadid. Ngjarja ishte planifikuar e koordinuar mjaft mirë, por moti nuk u tregua shumë bashkëpunues dhe zbritja e një mjegulle në zonë nuk lejoi që ngjyrat e pasarelës të përforcoheshin nga perëndimi i bukur i diellit.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel