SHBA, Senati konfirmon kryeprokurorin Sessions

09/02/2017 00:00

Pas debatesh të nxehta, Senati amerikan e konfirmoi me 52 vota pro dhe 47 kundër, të emëruarin e Donald Trumpit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Konfirmimi vjen pas një serie seancash të vështira dëgjimore, gjatë të cilave demokratët e sulmuan Sessions për historikun e tij me të drejtat civile dhe emigracionin.

Elizabeth Warren u përpoq të kujtonte akuzat e drejtuara senatorit të Alabamës për racizëm, por e detyruan që të heshtte.

Emërimi i Sessions është një ndër më të debatueshmit e presidentit të ri amerikan. Votimi në Senat ndoqi linjat partiake dhe për kryeprokurorin e ri u shpreh pro vetëm një demokrat, Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore.

Sessions do të marrë tani në duar frerët e Departamentit të Drejtësisë, së bashku me 113 mijë punonjësit e tij, ndër të cilët edhe 93 avokatë shtetërorë. Senatin e kontrollojnë republikanët dhe për të miratuar këtë emërim, atyre nuk u nevojitej veçse një shumicë e thjeshtë.

“Sessions ka shumë punë për të bërë dhe mendoj se është në lartësinë e detyrës që i është caktuar. Është i ashpër, por i drejtë. Është këmbëngulës, por i respektueshëm. Është një koleg me parime dhe një partner i ndershëm”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës në Senat.

Demokratët këmbëngulin se Sessions është shumë i afërt me Trumpin për të vënë sundimin e ligjit përpara politikës dhe, me argumentin se duhet të shqyrtojnë plotësisht të caktuarit e presidentit, e vonuan sa mundën procesin e konfirmimit të tij.

Top Channel