DASH: Besim të plotë tek ambasadori Lu

09/02/2017 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit ka besim të plotë tek Ambasada dhe Ambasadori amerikan në Shqipëri.

I kontaktuar nga Top Channel pas shkrimit të botuar nga “Huffington Post”, në përgjigjen e tij DASH  theksoi mbështetjen për punën e Ambasadës dhe reformën në drejtësi, duke thënë se të gjithë faktorët politikë në Shqipëri kanë kërkuar përfshirjen e SHBA në këtë proces.

“Politika që SHBA ndjek në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e saj në BE dhe reformat që çojnë drejt këtij qëllimi. Ato përfshijnë mbështetjen për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kundërpërgjigjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Ambasadori Lu dhe ekipi i tij kanë punuar prej mëse një viti në bashkëpunim me liderët në qeveri dhe parlament, opozitë dhe shoqërinë civile, si dhe komunitetin ndërkombëtar, që të miratohet dhe zbatohet një reformë e rëndësishme në drejtësi. Si qeveria ashtu dhe opozita kanë kërkuar angazhimin e SHBA në këtë proces, përfshi monitorimin e zbatimit të reformës. SHBA do të vazhdojë të deklarohet në favor të sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e  saj. Siç e kemi thënë edhe më datën 3 shkurt, DASH ka besim të plotë tek Ambasada dhe Ambasadori ynë”.

Kjo është deklarata zyrtare ekskluzive për Top Channel, i cili iu drejtua Departamentit Amerikan të Shtetit pas artikullit të “Huffington Post”, ku Luke Cofey drejtor i politikave të jashtme në “Heritage Foundation”, kritikon politikat e SHBA në Ballkan dhe konkretisht për Shqipërinë, ndërhyrjen e Ambasadorit Donald Lu në politikat e brendshme.

Top Channel