Kanos prokurorin, i gjendet hashash në shtëpi

09/02/2017 00:00

Një 56-vjeçar që kanosi prokurorin e procesit që zhvillohet ndaj djalit të tij në Gjykatën e Krujës përfundoi në pranga për dy akuza.

Nazmi Cangu, nga fshati Verjon i Krujës, u rebelua ndaj pretencës që u dha në gjykatë nga prokurori për të birin Muhamet Cangu, 25 vjeç, i ndaluar në mars të vitit të kaluar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim.

Të mërkurën, prokurori Bujar Memia kërkoi nga gjykata dënimin me 8 vjet burg të të pandehurit, gjë që shkaktoi zemërimin e të atit, i cili në përfundim të seancës kërcënoi me jetë prokurorin Memia. Me të marrë kallëzimin penal të prokurorit, policia vendore ushtroi kontroll në banesën e Nazmi Cangut, ku iu gjetën dhe sekuestruan 76 kg kanabis.

Ashtu si dhe i biri, 56-vjeçari do të përballet me akuzën për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe kanosjes së gjyqtarit, që parashikon dënimin me gjobë deri në 3 vjet heqje lirie.

Për këtë rast reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila, duke ritheksuar mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi, vlerëson se fjalori kundër prokurorëve, i përdorur për të justifikuar ndryshimet ligjore, ka demotivuar këta të fundit, të cilët, gjithsesi po vijojnë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në proceset penale për persona të përfshirë në vepra penale.

Prokuroria kërkon nga prokurorët e republikës që, për çdo rast shqetësimi apo kërcënimi gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, të njoftojnë Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim që “bashkërisht të veprojmë me të gjitha mjetet ligjore, për të siguruar mbrojtjen e integritetit të tyre fizik dhe profesional”.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë, që dënon në mënyrë kategorike çdo lloj kërcënimi që u bëhet punonjësve të ligjit dhe çdo retorikë të çdo lloji dhe ngado që vijnë, të cilat çojnë në dekurajimin e njerëzve të ndershëm të ligjit.

Top Channel