Brazil, qyteti pa polici, bandat bëjnë ligjin; anarki në Espirito Santo

08/02/2017 00:00

Zjarre, sulme fizike, ekzekutime dhe larje hesapesh. Rrugët dhe sheshet të boshatisura, dyqane, zyra dhe shkolla të mbyllura. Edhe spitalet janë të detyruara të punojnë nën masa të rrepta sigurie për t’i shpëtuar sulmeve.

Është kjo një pamje e ferrit që prej pesë ditësh ka përfshirë Vitorian, një qytet brazilian, kryeqendër e shtetit Espirito Santo, në kufirin jugor të Rios.

Morgu i institutit të mjekësisë ligjore i ka dhomat-frigorifer të mbushura plot me kufoma, aq sa shumë të tjera kanë mbetur të braktisura rrugëve sepse askush nuk di ku t’i sistemojë.

Deri më sot numërohen 85 të vrarë, shumë prej të cilëve djem të rinj, rreth 20-vjeçarë, të ekzekutuar me 4 plumba secili. Bëhet fjalë për një markë të bandave që enden nëpër qytet dhe zgjidhin sipas mënyrës së tyre një valë dhune që po infekton, në mënyrë alarmante, shumë rajone të Brazilit.

Tre vite recesion po ndihen në shtetin latin, i përfshirë nga shkurtime të vendeve të punës, shkarkime, rroga të reduktuara dhe rritje të mohuara.

Nuk ka më para. Arkat e shumë administratave kanë mbetur bosh dhe situata ka prekur edhe ata që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve.

Policia ushtarake, së cilës i takon ruajtja e rendit publik, ka vendosur të mos dalë nga kazerma. Edhe pse me ligj, në cilësinë e ushtarakëve e kanë të detyruar të dalin, patrullat nuk kanë lëvizur nga vendi.

Për rrjedhojë, qyteti ka mbetur i boshatisur, ndërsa aty ku ka njerëz janë vetëm bandat që po hakërrehen me njëra-tjetrën. Deri tani janë sulmuar 200 dyqanë, 100 shtëpi dhe 3 qendra tregtare. Ndërsa 6 autobusë janë rrëmbyer dhe u është vënë flaka.

Pa harruar këtu shkëmbimet e zjarrit mes atyre që kërkonin të grabisnin dhe atyre që përpiqeshin të mbroheshin. I pafuqishëm përpara kësaj vale anarkie, guvernatori i shtetit Espirito Santo është dorëzuar.

Top Channel