Sejko: Ekonomia do të vazhdojë rritjen e qëndrueshme

08/02/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë këtë të mërkurë në një mbledhje të përbashkët të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, e cila u zhvillua në Romë.

Gjatë punimeve, Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit, duke theksuar se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi, e mbështetur nga kombinimi i stimulit monetar me konsolidimin fiskal.

Gjithashtu, Sejko u shpreh se ekonomia pritet të vazhdojë rritjen e qëndrueshme dhe se balancat kryesore makro-ekonomike do të forcohen në të ardhmen.

“Banka e Shqipërisë pret një aktivitet ekonomik në përmirësim në terma kohorë afatmesëm, i cili do të mundësojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër, përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv”, deklaroi Sejko.

Gjithashtu, vijoi ai, reformat strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit do të ndihmojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të vendit.

Lidhur me kreditë e këqija guvernatori nënvizoi se, BSH po harton një plan veprimi për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore.

Në këtë mbledhje, e organizuar nën kujdesin e ministrit të Financave të Italisë Pier Carlo Padoan, ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar i Financave, Arben Ahmetaj.

Top Channel