Gjykata Speciale, akuzat e para priten në qershor

08/02/2017 00:00

Të martën janë emëruar zyrtarisht 19 gjykatësit e Gjykatës Speciale për Kosovën, që pritet të hetojë mbi krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akuzat e para priten të ngrihen brenda 4 muajve, siç bëhet e ditur nga mediet kosovare. Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova është zotuar për administrim të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase.

Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo emëroi dje 19 gjykatësit në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Këto emërime, Papadopoulo i ka bërë në bazë të rekomandimeve të Komisionit përzgjedhës të pavarur. Aty përfshihen posti i nënkryetarit dhe postet e 4 gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara, vetëm me kërkesë të kryetarit, për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre. Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, me këtë rast ka thënë se secili prej gjykatësve do të japë një kontribut të shquar në realizimin e mandatit në administrimin e drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase.

Top Channel