Gjermania jep 20 milionë euro për landfillin e Vlorës

08/02/2017 00:00

Në Vlorë do të ndërtohet një landfill i ri me kapacitet përpunues prej 350 mijë tonë mbetjesh, për të zgjidhur përfundimisht problemin e trajtimit të plehrave në zonën turistike.

Qeveria gjermane ka akorduar një hua prej 12 milionë eurosh për ngritjen e infrastrukturës, si dhe 2 fonde në formë granti në vlerat e 7.5 dhe 1.3 milionë eurove.   

Isa Memia, nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, tha: “20.8 milionë euro janë për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës, që nga mbledhja e ndarja e mbetjeve në burim, transportim dhe trajtim në landfill i mbetjeve”.

Landfilli do të ndërtohet në zonën e Shërrishtës dhe do të sigurojë lëndën e parë për industrinë e riciklimit, pas ndarjes së mbetjeve në burim.

Paralelisht në Vlorë po vazhdon projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza, të cilat do kalohen të gjitha në impiantin e filtrimit të ndërtuar prej vitesh për të ndaluar tërësisht derdhjen e ujrave të ndotura në det.

Top Channel