Java njujorkeze e modës gjen një shtëpi të re. Plot 72 stilistë do të paraqesin krijimet e tyre për periudhën Vjeshtë – Dimër 2017, në ngjarjen që nis më 9 shkurt e zgjat deri në datën 16, të cilën organizatorët e pasarelave kanë vendosur ta spostojnë sivjet nga qendra e Manhattanit, në pjesën jugore të tij.

“Kjo ndodh sepse po fuqizohemi. Kemi marrë hapësira më të mëdha në ‘Skylight Clarkson’. Kemi zënë 3 ambiente atje, ndërkohë që po e shtojmë praninë tonë edhe tek industria”, tha Catherine Bennett, zv.presidente e “IMG”.

Ambienti më i madh i siguruar mund të akomodojë 750 vetë. Teknologjia do të luajë rol të rëndësishëm gjatë javës, ku secili spektakël do të transmetohet “online”.

“Do t’i hedhim në internet shfaqjet tona në kohë reale. Kjo, jo vetëm do t’iu ofrojë adhuruesve mundësinë t’i shohin shumë shpejt koleksionet e reja, por edhe ta marrin menjëherë diçka që iu pëlqen mbi bazën e modelit. Thjesht ‘e shoh tani, e blej tani’”, tha Catherine Bennett.

Vitet e fundit, gjithmonë e më shumë stilistë po preferojnë të nxjerrin në pasarelë modele të racave dhe masave të ndryshme, e ky trend do të ndiqet edhe në Nju Jork. Për koleksionet e pranverës këtë vit parashikohet një rikthim i frudave dhe veshjeve me gjerësi në shpatulla, që të kujtojnë vitet ’80, ndërsa preferencat janë shtuar edhe për fustanet me njërën shpatull të hapur. Diskutohet gjithashtu një rikthim i xhinseve të gjera në fund, si dhe xhaketave të stilit “bomber”.

Top Channel