Konflikti për lavatriçen e zhavorrit, plagosin me armë kushëririn

08/02/2017 00:00

Konflikti për shfrytëzimin e një lavatriçe zhavorri në lumin Drin për pak sa i ka kushtuar jetën një 18-vjeçari në Dibër.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 në vendin e quajtur “Ura e Muhurrit”, ku ka qënë një punonjës policie i zonës që ka dëgjuar të shtënat me armë. Ai ka kërkuar menjëherë përforcime nga ana e policisë së Dibrës, duke shmangur kështu dhe përshkallëzimin e konfliktit.

I plagosur ka mbetur E. S 18 vjeç i cili është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar në Tiranë, me helikopter dhe për momentin është jashtë rrezikut për jetën.

Policia bëri të mundur arrestimin e autorëve të dyshuar, babë e bir, P. S, 62 vjeç dhe R. S, 30 vjeç kushërinj të të plagosurit. Ata kanë tentuar të largohen po janë arrestuar nga policia. Gjithashtu në komisariat është shoqëruar edhe vëllai i të plagosurit, T. S., 31 vjeç.

Uniformat blu kanë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov me të cilën dyshohet se i plagosur ka qëlluar në drejtim të tyre. Gjithashtu është sekuestruar dhe një pistoletë me të cilën dyshohet se babë e bir kanë qëlluar 18-vjeçarin.

Policia thotë se motivi i konfliktit dyshohet se është për një lavatriçe zhavorri në Lumin Drin, ku këta shtetas e kanë pasur të përbashkët duke e shfrytëzuar një vit njëra palë e një vit pala tjetër. Megjithatë, grupi hetimor në vendngjarje po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel