Llalla takon homologun belg,  bisedime për “Balilin”, “Frrokun” dhe drogën

08/02/2017 00:00

Çështja e Balilit, Mark Frrokut, prostitucionit dhe trafikut të drogës kanë qënë në fokus të bisedimeve të kryeprokurorit Adriatik Llalla me homologun belg, Frederic Van Leeuw.

Llalla tha se autoritetet e larta shqiptare po tregojnë një interes të lartë për luftën kundër narkotikëve. Si shembull konkret per këtë angazhim, Prokurori i Përgjithshëm përmendi në takim edhe faktin që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës.

Gjithashtu, duke iu përgjigjur interesimit të Prokurorit Federal të Belgjikës, Llalla e informoi mbi ecurinë e procesit gjyqësor penal kundër ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për një vrasje në Belgjikë dhe hetimi ndaj tij është zhvilluar nga ana e autoriteteve belge.

Prokuroria shqiptare ka ndërmarrë hapa për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shqiptarëve për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.  “Vendi ynë do  të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”, është shprehur kryeprokurori Llalla.

Ai është njohur nga Prokurori Federal i Belgjikës me problematikën e kriminalitetit shqiptar në atë vend, kryesisht për grupet që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit dhe trafikimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Autoritetet shqiptare do të vijojnë shkëmbimin e informacionit me homologët belge, si edhe do të intensifikojnë hetimet për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive në vendin tonë të shtetasve shqiptarë që janë të përfshirë në grupe kriminale në Belgjikë.

Top Channel