Basti i humbur i tenistes Bouchard

08/02/2017 00:00

Kur në skenë shfaqet Tom Brady, është më mirë të mos vësh bast kundër tij. Këtë leksion e mori edhe Eugenie Bouchard, pas finales së “Super Bowl” mes New England dhe Atlantës.

Kur gjithçka po shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme për “Falcons”, që në fund të pjesës së parë kryesonin 28-3, tenistja kanadeze guxoi në “Twitter” të parashikojë trumfin historik të Matt Ryan e pjesës tjetër të skuadrës.

Një parashikim që nuk u prit mirë nga të gjithë ndjekësit e saj në këtë rrjet social, madje njëri prej tyre arriti ta sfidojë, duke i kërkuar takim në rast fitoreje të “Patriots”, sfidë të cilën tenistja e pranoi pa asnjë hezitim.

Sigurisht, Bouchard nuk e priste atë përmbysje të rezultatit nga ana e New England dhe ishte e përgatitur për të fituar bastin, por Tom Brady, një prej “quarterback”-ëve më të mëdhenj në historinë e “NFL”-së, ia prishi festën.

Dhe si sportiste që është, Bouchard e pranoi humbjen, duke i kërkuar admiruesit që e sfidoi vendbanimin e tij, që rezultoi të ishte në Chicago. Ajo që mbetet për t’u kuptuar është nëse ky takim do të ndodhë apo jo dhe sesi do ta presë atë i fejuari i saj, lojtari i Hokejit, Jordan Caron, me të cilin Bouchard është e lidhur që nga viti 2015.

Gjithsesi, sido që të shkojë kjo histori, Bouchard nuk do të vendosë më bast për një ndeshje të “Super Bowl”, e sidomos kundër Tom Brady.

Top Channel