Kupa Libertadores, “Argjentina U20” kualifikohet në fazën e grupeve

08/02/2017 00:00

Atletico Tucuman u kualifikua për në raundin tjetër të Kupës Libertadores, pas një ndeshjeje që rezultoi një odise e vërtetë dhe që hyri në historinë e futbollit.

Skuadra argjentinase eliminoi Nacionalin në Kuito, duke e mundur me rezultatin 1-0, pasi përjetoi peripeci në udhëtimin drejt Ekuadorit.

Gjithçka nisi me humbjen e avionit për shkak të mungesës së autorizimit nga Kulla e Kontrollit të qytetit Guayaquil. Kjo detyroi skuadrën e Atleticos të udhëtojë me një tjetër linjë ajrore, për të mbërritur në kryeqytetin e Ekuadorit vetëm 13 minuta përpara fillimit të ndeshjes.

Telashet për Atletico Tucuman nuk u mbyllën këtu. Problem më vete për këtë skuadër ishte mungesa e uniformave, të cilat ishin lënë në aeroport, duke rrezikuar humbjen e ndeshjes në tavolinë. Por një drejtues i klubit arriti të gjejë një zgjidhje, duke telefonuar delegacionin e përfaqësueses argjentinase U20, për të marrë hua uniformat e kësaj skuadre, e cila gjendet në Kuito për Botërorin e kësaj kategorie.

Gjithçka u bë shumë shpejt dhe arbitri autorizoi fillimin e ndeshjes, me Tucuman që hyri në fushën e lojës me veshjen e përfaqësueses “Albiceleste”. Kjo situatë e motivoi shumë Atleticon, që pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, arriti të fitojë 1-0 me gol të Zampedri, duke siguruar kualifikimin e parë në një event të tillë në historinë 114-vjeçare të tij.

Top Channel