Misioni monitorues: Vettingu, jetik për negociatat

08/02/2017 00:00

Për të drejtuar bordin e menaxhimit, që do të koordinojë punën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për “vetting”-un në Shqipëri, Brukseli ka zgjedhur spanjollen Gjenovefa Ruiz Kalavera.

Ajo do të shfaqet shumë rrallë në publik, sepse në vend të një ylli televiziv që jep intervista, Bashkimi Europian synon të jetë i rreptë, por edhe i drejtë në rekomandimet që do të japë gjatë procesit të vështirë dhe delikat të “vetting”-ut.

Në fazën e parë, atë të ngritjes së organeve të “vetting”-ut, spanjollja Kalavera do të ndihmohet nga 3 gjyqtarë, të cilët nisin punë të enjten, sapo të mbarojë afati i aplikimit për kandidatët e organeve të “vetting”-ut. Por megjithëse ndërkombëtarët kanë një rol kryesor gjatë procesit, Bashkimi Europian e theksoi sovranitetin e Shqipërisë në vendimmarrje.

“Më lejoni të theksoj qartë se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po kryen një monitorim të fuqishëm të procesit të ‘vetting’-ut, por nuk merr vendime ekzekutive. Të gjitha vendimet ekzekutive në këtë proces do të merren nga autoritetet shqiptare dhe kështu duhet të bëhet”, tha Kalavera.

Me autoritetet shqiptare, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvedit, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit u takua mëngjesin e së mërkurës. Një takim, ku ajo është kujdesur të theksojë pozicionin e saj gjatë procesit, jo e politizuar, e pamanipuluar dhe jo spekulative. Sepse në lojë është besueshmëria e një procesi, nga i cili varet besimi i publikut te drejtësia dhe e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Unë besoj se mesazhi ynë është i qartë. Ky proces ‘vetting’-u është jetik për të hapur derën e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Si kryetare e bordit të menaxhimit mund t’iu siguroj se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’i kryejë detyrat e veta me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me ligjin”, tha më tej shefja e ONM-së.

Mbikëqyrja e procesit të “vetting”-ut dhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë nuk do të jenë vetëm një produkt europian. Bashkimi Europian ka bërë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, që do të jenë aktorë kryesorë gjatë çdo faze të procesit të “vetting”-ut. Vendimi i parë i vëzhguesve ndërkombëtare do të jepet deri më 1 mars, kur ata të kenë krijuar “listën e zezë” me kandidatët që nuk duhet të jenë anëtarë të organeve të “vetting”-ut.

Top Channel