Në një vit, Tiranës i janë shtuar 90 autobusë për transportin publik. Frekuenca e qarkullimit të tyre do të monitorohet me GPS dhe qytetarët do të informohen në rrugë elektronike për vendndodhjen e autobusit dhe oraret e tij jo vetëm nëpër stacione, por edhe nga telefoni.

“57% e qytetarëve thonë se autobusi duhet të ecë më shpejt, ndërsa 43% mendojnë se ecin më shpejt seç duhet. Sistemi GPS na tregon në mënyrë ekzakte se me çfarë shpejtësie dhe se ku ndodhet autobusi”, deklaroi Veliaj.

Pas një sondazhi të bërë me qytetarë që përdorin transportin publik, kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehet entuziast, ndonëse pranon dhe problemet me autobusët: “51% mendojnë se autobusët janë të pastër, 49% mendojnë se duhet të jenë më të pastër. Ajo që më pëlqen, është se krahasuar me sondazhin që bëmë një vit më parë, sot jemi diku në mes. Gjysma mendon se duhet të bëjmë më mirë, ndërsa gjysma tjetër mendon se gjërat janë të përmirësuara”.

Në linjat e autobusëve të Tiranës do të funksionojë bileta elektronike: “78% e qytetarëve janë të gatshëm të kalojnë në sistemin e biletës elektronike. Nuk do të ketë më kontakt me fatorinot”.

Qarkullimi i autobusëve ka një riorganizim. Disa linja janë zgjatur, siç është ajo e Tiranës së Re që shkon deri te ish-Casa Italia, ndërkohë që për të gjithë linjat e kryeqytetit do të njihet aboneja.

Top Channel