Calais, arrestohen menaxherët e hoteleve. Strehonin klandestinë shqiptarë

08/02/2017 00:00

Pesë menaxherë hotelesh, të dyshuar si pjesëtarë të një rrjeti trafikantësh të emigrantëve shqiptarë në Britani, u arrestuan të martën gjatë një operacioni “blic” të policisë në qytetin francez Calais (Kale).

Prokurori Pascal Marconville i tha “AFP”-së se hetimi vazhdonte prej disa javësh. Banda e trafikantëve shqiptarë, sipas tij, kishte përdorur për qëllimet e saj 4 hotele në Calais.

Hotelet në fjalë nuk ishin në pronësi të shqiptarëve, por zotëroheshin nga njerëz, të cilët nga sa treguan edhe hetimet fillestare, kanë strehuar me kërkesën e trafikantëve shtetas shqiptarë, që do të dërgoheshin më pas në Britani.

Grupi ofronte “kalim të garantuar” vetëm për shqiptarët. Shuma që paguhej prej tyre varionte nga 5.000 deri në 10 mijë euro, në varësi të mënyrës sesi kalonin La Manshin. Një skemë e tillë u lejonte tranzitin përmes hoteleve dhe jo kampeve, siç ka qenë “xhungla” tashmë e rrafshuar, e cila mbante deri në 10 mijë emigrantë.

Personat e ndaluar do të dalin përpara gjykatës të premten.

Top Channel