SHBA, senatores Warren “i mbyllet goja” nga republikanët

08/02/2017 00:00

Senatorja demokrate Elizabeth Warren u hesht nga republikanët në Senat, pasi lexoi një letër të vejushës së Martin Luther King.

Warren është një nga kundërshtaret më të flaka të emrit të zgjedhur nga Trump për Prokuror të Përgjitshëm, pikërisht Jeff Sessions, dhe letra e 30 viteve më parë kishte kritika për të.

Mitch McConnell, kreu i republikanëve në senat, tha se Warren shkeli rregullat duke fyer një tjetër senator. Incidenti ndodhi gjatë një debati në Senat për emërimin e Sessions dhe, pas ndërhyrjes së udhëheqësit republikan, Senati votoi 49 me 43 që Warren të mos falet më gjatë këtij debati.

Senatorja Warren më pas e lexoi “live” në “Facebook” letrën e Coretta Scott King, vejusha e Martin Luther King. Në letrën 30-vjeçare, e veja e King i kërkonte Senatit që të mos e emëronte Jeff Sessions si gjykatës federal, pasi ai kishte tentuar të frikësonte votuesit e moshuar me ngjyrë.

Në fakt, procesi i emërimit të Sessions si Prokuror i Përgjithshëm është prekur mjaft nga akuzat se, kur ishte prokuror në Alabama kishte tentuar të zhdukte votat e njerëzve me ngjyrë. Pasi senatores Warren iu hoq e drejta e fjalës, Komiteti Kombëtar Demokratik tha se është një ditë e trishtë për amerikanët kur fjalët e vejushës së Martin Luther King nuk lejohen të dëgjohen në Senat.

Analistët thonë se, me këtë gjest, republikanët i dhanë liberales së njohur një megafon dhe e bënë heroinë demokrate, një ndihmë e madhe për rizgjedhjen e saj në vitin 2018.

Top Channel