Motoja e Trump satirizohet nga Europa e Ballkani

08/02/2017 00:00

Sipas motos së Donald Trumpit, Amerika vjen e para, por cili vend europian do të jetë i dyti? Një shfaqje satirike në Holandë “Zondag Met Lubach” i ktheu në parodi retorikat e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, duke rreshtuar me tallje arsyet absurde përse e dyta në radhë duhet të jetë medoemos Holanda.

Videoja pushtoi rrjetin, e shumë shpejt në mbarë Europën nisën të shfaqen variante të përshtatura të saj. Ndër të parat që ndoqën trendin ishin Zvicra, Portugalia, Lituanua, Danimarka e Gjermania.

Por dëshira për të satirizuar politikat e Trumpit ka pushtuar së fundi edhe Ballkanin. Faqja boshnjake e internetit “Karakter” nxori variantin e saj të videos. “E kuptojmë shumë mirë që Amerika është e para, – thuhet aty, – por ju lutemi, a mund të vijë Bosnja e dyta?”.

“Ç’kemi Donald, – thotë zëri në video. – Jemi ne, miqtë e tu nga Ballkani, boshnjakët dhe hercegovianët. Duam të themi se ne boshnjakët, domethënë bashkë me serbët e kroatët, që do të thotë jo fqinjët tanë në Serbi e Kroaci, por njerëzit që përbëjnë këtë vend, të duam shumë”.

Duke imituar më tej vet komentet polemizuese të presidentit amerikan, Trumpit i kërkohet ta harrojë fare Kroacinë dhe Serbinë e të merret vetëm me Bosnjen.

“Shikoni çfarë forme ka Kroacia, nuk duket fare si shtet, e tmerrshme. Serbët pastaj janë më keq sesa meksikanët, na besoni. Duhet patjetër të ndërtojmë një mur në kufirin me ta”.

Një pjesë e komenteve e vlerësojnë satirën e videos, ndërsa të tjerë e konsiderojnë pak të rëndë. Shembullin e Bosnjes e kanë ndjekur edhe vende të tjera të rajonit, si Kroacia, Rumania, Bullgaria e Maqedonia.

Top Channel