Senati në ngërç, zv.presidenti konfirmon Sekretaren e Edukimit DeVos

07/02/2017 00:00

Për herë të parë në Amerikë, një zv.president bën diferencën e një votimi tërësisht të barabartë mes atyre që aprovonin dhe atyre që kundërshtonin kandidaturën e presidentit Donald Trump për Sekretare të Edukimit.

Betsy DeVos ka arritur të sigurojë rolin e saj në kabinetin e presidentit Trump falë votës së zv.presidentit Mike Pence, teksa në Senat rezultonte një barazim 50 me 50.

DeVos, një miliardere që nuk ka asnjë eksperiencë me shkollat publike, është përballur me një seancë dëgjimore për konfirmimin e saj tepër të “hekurt” muajin e kaluar. Vetëm pak çaste pas përfundimit të votimit, ajo shkroi në rrjetin social “Twitter” se vlerësonte kujdesin e jashtëzakonshëm të Senatit dhe se ndihet krenare që do të shërbejë si Sekretare e Edukimit.

“Le të përmirësojmë mundësitë dhe rezultatet për të gjithë studentët amerikanë”, vijonte më tej “cicërima” e saj.

Demokratët në Senat zhvilluan një debat thuajse 24-orësh nga e hëna në të martë, me shpresën të bllokonin konfirmimin e saj. Ata shpresuan se, maratona e diskutimeve përgjatë gjithë natës do të ushtronte më shumë presion ndaj senatorëve republikanë për të kundërshtuar kandidimin e saj, por rezultati foli në favor të sekretares.

Pence u bë gjithashtu i pari zv.president amerikan që hidhte një votë vendimtare në Senat që prej vitit 2008, kur Dick Cheney votoi atëherë kundër një plani për rregullimin e taksave. Asnjë demokrat nuk votoi në favor të DeVos, ndërkohë që dy senatorë republikanë i qëndruan deri në fund planeve të tyre për ta kundërshtuar konfirmimin e saj, duke e lënë Senatin në një situatë bllokade.

Kritikët thonë se DeVos, e cila është në favor të shkollave “charter” (prindërit zgjedhin shkollimin për fëmijët e tyre), nuk është e kualifikuar për të drejtuar Departamentin e Edukimit. Ajo u përball me një shqyrtim tejet intensiv përpara një komiteti të Senatit në janar, kur zuri titujt e parë të medieve për deklaratën se një shkollë në Ëyoming duhej të mbante armë për t’u mbrojtur nga arinjtë e murrmë.

Top Channel