“Fiks Fare”, rruga Moglicë-Maliq po ndërtohet pa u zbardhur leja e KKT-së

07/02/2017 00:00

Ndërtimi i rrugës malore nga HEC-i i Moglicës në drejtim të qytezës së Maliqit ka filluar pa u zbardhur leja e Këshillit Kombëtar të Territorit. Banorët e fshatit Popçisht, në Bashkinë Maliq, u ankuan pranë redaksisë së emisionin “Fiks Fare” se rruga kalon mbi varrezat e vjetra të fshatit. Pavarësisht kërkesave ndaj institucioneve vendore dhe qendrore, ata nuk kanë gjetur zgjidhje.

Gazetarët e “Fiksit” shkuan në fshatin Popçisht, ku banorët treguan se rruga duhet të devijohet 50 metra larg vendit ku po ndërtohet.

“Nuk jemi kundër ndërtimit të kësaj rruge, përkundrazi e dëshirojmë më çdo kusht. Por, t’i lëmë të prehen të qetë të parët tanë, të cilët prehen në varrezat e vjetra”, thotë një i moshuar.

Një tjetër sqaroi për “Fiksin” se afër një kishe të vjetër ka varre, ndërsa tha se, nëse vendi hapet me fadroma, atëherë do të dalin eshtrat në sipërfaqe.

“Ne duam një verifikim të hollësishëm. Unë kam motrën në këtë vend, e mbaj mend që është varrosur këtu. Por për shkak se kodra ka shkarë, ne i kemi zhvendosur varrezat në një vënd tjetër”, thotë Bujar Matraku.

Banorët pretendojnë se në zonë u ka ardhur policia e rendit, por edhe ajo bashkiake. Ata kanë shkuar edhe pranë Prokurorisë së Korçës, ku iu është bërë me dije se dokumentet që ata kanë nuk mund të quhen leje nga institucionet përkatëse.

Nisur edhe nga ky pretendim i banorëve, por edhe i prokurorisë, “Fiks Fare” shoqëroi në Bashkinë Maliq një përfaqësi të banorëve. Ata u pritën nga kryetari Gëzim Topçiu, i cili tha se institucioni që ai drejton nuk është pyetur për ndërtimin e kësaj rruge. Sipas tij, rruga duhet të ishte në afërsi të liqenit dhe jo sipër në kodër, pasi dimri është i gjatë, ka borë dhe ngrica.

Në bisedë e sipër, Topçiu tha se punimet që kanë filluar në rrugë janë të paligjshme, pasi nuk është zbardhur vendimi i KKT-së, që do të pasohej më pas nga një VKM për shpronësimet e banorëve. Ai tha se ka urdhëruar Policinë Bashkiake të bllokojnë punimet.

“Fiks Fare” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në lidhje me pretendimet e banorëve të fshatit Popçisht dhe të kryetarit të Bashkisë së Maliqit, se punimet në rrugën Moglicë-Maliq janë të paligjshme.

Sipas përgjigjes, Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendimin nr.2 të datës 11.10.2016 ka vendosur miratimin e lejes së ndërtimit, me kushtin që subjekti të realizojë plotësimet si më poshtë: Miratimin e VKM-së së shpronësimit dhe vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Agjencia shtoi se “leja e KKT-së nuk është zbardhur, sepse është në pritje të një vendimi të Këshillit të Ministrave për shpronësimet. Agjencia e Zhvillimit të Territorit ia ka bërë me dije Ministrisë së Energjetikës, kryetarit të Bashkisë së Maliqit dhe ‘Devoll Hydropoëer’ për të bërë një takim midis palëve dhe për të marrë në konsideratë shqetësimet e banorëve”.

Pas përgjigjes nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, “Fiks Fare” iu drejtua me një kërkesë kompanisë “Statkraft”, e cila është investitore e hidrocentralit në Moglicë, në lidhje me shqetësimet e banorëve për varrezat e vjetra, apo edhe pretendimin se punimet në rrugë janë të paligjshme.

Kjo kompani ktheu një përgjigje. “Sipas planit kombëtar të hartëzimit, në vendin ku pretendojnë banorët e Popçishtit nuk ka varreza të regjistruara. Dëgjesa publike për ndërtimin e rrugës është mbajtur më 19 maj 2015 në fshatin Moglicë, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë banorët e fshatrave të prekur nga ndërtimi i kësaj rruge. Ministria e Transportit e ka miratuar kërkesën për shpronësim, pasi rruga është në interes publik. Vendimi i KKT-së është zbardhur dhe më pas i është kaluar vlera prej 0.01% e taksës mbi infrastrukturën Bashkisë së Maliqit”.

Më pas, “Fiksi” i dërgoi një tjetër kërkesë kompanisë “Statkraft”, se kur është zbardhur vendimi i KKT-së. Gjithashtu iu kërkua nëse është marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Në fund u kërkua informacion se, nëse gjenden varreza në zonë, si do të procedohet. Për kërkesën e dytë, shoqëria që po ndërton hidrocentralin në Moglicë nuk ka kthyer një përgjigje.

Top Channel