Kalon në parim pr.ligji i ri për arsimin profesional

07/02/2017 00:00

Komisioni përgjegjës i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë miratoi në parim, me shumicë votash, projektligjin e ri për arsimin profesional, duke hedhur poshtë kërkesën e Komisionit të Medias për shtyrjen e tij.

Por çfarë parashikon konkretisht ligji i ri për arsimin profesional?

“Ajo që kërkojmë ne me këtë ligj dhe në të gjithë filozofinë tonë, është shndërrimi i shkollës së arsimit dhe formimit profesional në një mekanizëm ekonomik. Ajo që do të kërkojmë është që shkolla jonë, tashmë e transformuar në bazë të këtij ligji në qendër shumëfunksionale, mos të ofrojë vetëm edukim për nxënësit e 4-vjeçarit, nga klasa e 10 deri në të 13-n, por të ketë mundësi të ofrojë edukim gjatë të gjithë jetës”, tha Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Diskutimet e zhvilluara ditën e martë u shoqëruan edhe me debate, teksa kryetarja e komisionit, Albana Vokshi i kërkonte ministrit Klosi llogari për premtimet për punësim të kryeministrit Rama.

“300 mijë vende pune nuk janë hapur dhe as nuk do të hapen. Pse ikin të rinjtë, kur ju po u siguroni atë punë që ju e konsideroni dinjitoze?”, tha Albana Vokshi.

“Premtimi për 300 mijë vende të reja pune është premtimi më i mbajtur në shifra i kësaj qeverie. Në listat e kontribuesve në sistemin e pensioneve janë mbi 205 mijë kontribues të rinj, që kontribuojnë për skemën e pensioneve. Kemi mbi 35% më pak punëkërkues të papunë”, u kundërpërgjigj Klosi.

Projektligji i ri parashikon gjithashtu krijimin e dy agjencive, të Punësimit dhe të Akreditimit, nga të cilat do të varen shkollat e arsimit ptofesional. Një tjetër risi janë bordet e shkollave, të cilat do të kenë anëtarë një përfaqësues nga biznesi, i cili do të orientojë mbi zhvillimin e kurseve profesionale sipas nevojave që ka tregu.

Top Channel