Policia dhunoi të riun, protesta në Paris

07/02/2017 00:00

Dhuna që disa policë ushtruan ndaj një të riu ka ndezur gjakrat në Paris. Për të tretën natë radhazi, dhjetëra protestues dolën nëpër rrugë, pas publikimit të një videoje që tregon policët teksa rrahin e çburrërojnë me shkop 22-vjeçarin e identifikuar me emrin Theo.

Ngjarja ndodhi të enjten në Aulnay-sous-Bois, në periferi të kryeqytetit francez, ku agjentët ndaluan të riun gjatë një kontrolli për identitetin, por që degjeneroi shumë shpejt për shkak të një grindjeje. Një prej policëve po hetohet zyrtarisht për përdhunim, ndërsa 3 të tjerët për dhunë të panevojshme.

Motra e 22-vjeçarit të dhunuar tha për televizionin “BFMTV” se, situata kishte dalë jashtë kontrollit kur vëllai i saj i tha policëve të tregoheshin më të butë me një grup të rinjsh, pasi një prej efektivëve qëlloi me shuplakë njërin prej tyre.

“Shumë gjëra ndodhën në atë moment, veçanërisht dhuna me shkop. Ata e rrethuan qëllimisht në një cep ku nuk ka kamera, duke e rrahur edhe më shumë”, tha ajo.

Kryeministri Bernard Cazeneuve dënoi aktin dhe kërkoi ndëshkimin e përgjegjësve. Ndërkohë, presidenti francez François Hollande vizitoi 22-vjeçarin e dhunuar në një spital në periferi të Parisit.

Top Channel