Pritje heroike për kampionët e Afrikës

07/02/2017 00:00

Skuadrës kombëtare të Kamerunit iu rezervua një pritje heroike nga tifozët e futbollit pas triumfit fantastik në Kupën e Kombeve të Afrikës që regjistroi titullin e pestë në historinë e ekipit.

Finalja emocionuese ndaj Egjiptit me dy gola në pjesën e dytë, sollën trofeun e parë që prej vitit 2002 dhe sigurisht që gëzimi i mbështetësve që mbushën aeroportin dhe rrugët, ishte i kuptueshëm.

Zbritja heroike nga avioni nisi me kapitenin Mukandjo, ndërsa veç medaljeve, të gjithë futbollistët kampionë të Afrikës mbanin dhe bluza të dedikuara Kupës së Kombeve pas dy vjetësh që do të luhet në Kamerun.

Kameruni tani ka përballë Kupën e Konfederatave, ku do të luajë ndaj kampiones së botës, Gjermanisë, si dhe do të imepnjohet në fushatën kualifikuese për Botërorin e Rusisë. Kamerunasit duhet të tregojnë lojën dhe grintën e shfaqur në Kupën e Kombeve nëse duan kualifikimin në grupin ku janë të dytët dhe ku bileta e botërorit është e garantuar vetëm për vendin e parë.

Top Channel