Khamenei, kundër Trumpit: Tregoi fytyrën e vërtetë të Amerikës

07/02/2017 00:00

Donald Trump tregoi fytyrën e vërtetë të Amerikës. Kështu mendon udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili gjatë një mbledhjeje me komandantët e Forcave të Armatosura iraniane tha se administrata e re kishte treguar rrënjet e thella të korrupsionit në qeverinë amerikane.

“I jam mirënjohës këtij personi që mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. E falënderoj që po tregon fytyrën e vërtetë të Amerikës. Ajo që kemi thënë për 30 vite lidhur me korrupsionin e moralin amerikan, më në fund u konfirmua”, tha Khamenei.

Khamenei iu referua gjithashtu edhe rastit të një 5-vjeçari me nënë iraniane, i cili u ndalua në një aeroport amerikan pas nënshkrimit të urdhrit antimysliman nga Trump.

Në fjalim ai tha se, iranianët do t’i përgjigjen deklaratave e kërcënimeve të presidentit amerikan me paradat e manifestimet e programuara për të premten, me rastin e 38-vjetorit të fitores së revolucionit islamik.

Komentet e udhëheqësit suprem të Iranit vijnë mes përshkallëzimit të tensioneve mes Teheranit e Uashingtonit, që kur Trump u bë president. Dekreti që ndalon udhëtimet nga 7 vende myslimane, ndër të cilat edhe nga Irani, e gjithashtu testet balistike të Republikës Islamike kanë kontribuar edhe më tej në përkeqësimin e marrëdhënieve.

Tani lindin dyshime lidhur me të ardhmen e marrëveshjes bërthamore të sigluar nga administrata “Obama”. Të shtunën, një ditë pasi administrata “Trump” vendosi sanksione të reja për testin e fundit balistik, Sekretari i ri Mbrojtjes, James Mattis e quajti Iranin si sponsorin më të madh të terrorizmit në botë.

Top Channel