Belgjika kritikohet për refuzimin e vizave ndaj familjeve siriane

07/02/2017 00:00

Shtetet e Bashkimit Europian duhet t’u sigurojnë viza hyrëse njerëzve të ndodhur në rrezik nga torturat apo trajtimi çnjerëzor, është shprehur këshilltari më i lartë i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Reagimi i tij vjen pas rastit të refuzimit të vizës ndaj një familjeje siriane nga autoritetet e Belgjikës, që kanë argumentuar se Brukseli nuk është i detyruar të pranojë cilindo nga një zonë lufte.

Nëse gjykata pranon faktet, kritikët thonë se kjo do t’u hapte një rrugë të re emigrantëve për të mbërritur në Europë. Megjithatë, ministri belg i Emigracionit ka theksuar se këshilla e tij nuk është detyruese ligjërisht.

Theo Francken tha se vendet anëtare dhe Komisioni Europian janë “të ndërgjegjshme për pasojat e mëdha” që do të sillte një vendimmarrje e gjykatës. Në një rast të ngjashëm të kohëve të fundit, ai ishte angazhuar për moshapjen e dyerve përballë “kaosit me azilantët”.

Ministri ka refuzuar të paguajë gjobat e përditshme të vendosura nga një gjykatë, për refuzimin për të pranuar një tjetër familje siriane. Ai thotë se është i gatshëm të shohë teksa i konfiskohet gjithçka në zyrën e tij, vetëm e vetëm që të mos paguajë, madje shkoi deri aty saqë të publikonte një foto të tijën në një zyrë të boshatisur, gjest i vlerësuar si shaka.

Rasti i fundit ka lidhje me një familje nga qyteti sirian i Aleppos, që aplikoi tetorin e kaluar në Ambasadën e Belgjikës në vendin fqinj të Sirisë, Liban, për të siguruar një vizë. Kjo do t’u hapte dyert atyre për të bërë një aplikim për azil brenda Belgjikës.

Familja përbëhet nga dy të rritur dhe 3 fëmijë të vegjël. Ata pretendojnë se, njëri prej tyre ishte marrë peng nga një grup i armatosur dhe ishte rrahur e torturuar përpara se të lirohej në shkëmbim të një ryshfeti. Familja pretendon gjithashtu se, duke qenë të krishterë ortodoksë, ata ishin përballë rrezikut të persekutimit, vetëm për shkak të bindjeve të tyre fetare.

Por aplikimi i tyre u mohua, me autoritetet belge që argumentuan se ata kishin një synim të qartë për të qëndruar në Belgjikë më shumë sesa afati 3-mujor i vizës. Veç kësaj, ata thanë se shtetet anëtare të BE-së nuk ishin të detyruara për të pranuar të gjithë ata që ndodhen në një “situatë katastrofike”.

Por tashmë, avokati Paolo Mengozzi thotë se vendimi është në kundërshtim me ligjet e BE-së, veçanërisht sepse shkel nenin 4 (parandalimi i torturës dhe trajtimi çnjerëzor apo degradues) i Kartës së të Drejtave Fundamentale të Bashkimit Europian.

Top Channel