Beteja e Trumpit me mediet, reagojnë këto të fundit

07/02/2017 00:00

Marrëdhënia e vështirë e presidentit amerikan Donald Trump me mediet rëndohet edhe më tej. Gazetarët po reagojnë me zemërim ndaj pretendimit të Shtëpisë së Bardhë se, mediet po dështojnë në raportimin e sulmeve terroriste.

Të hënën u publikua një listë me 78 sulme terroriste, për të mbështetur pohimin e numrit një të Uashingtonit, se media nuk po i raporton siç duhet ato.

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e gazetarëve të shtypit të shkruar, televizioneve dhe rrjeteve sociale.

“Si gazetar, jam tepër i shqetësuar nga kjo gjë”, tha redaktori i “Washington Post”, David Ignatius, duke kujtuar rreziqet me të cilat përballen çdo ditë kolegët e tij për të përcjellë te publiku ngjarje të tilla.

Pjesë e listës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë janë sulme të konfirmuara si terroriste, nga shtatori i vitit 2014 deri në dhjetor të 2016-s, përfshirë masakrën e Parisit, sulmin në klubin e natës në Orlando, atë me kamion në Nice, sulmin në aeroportin e Brukselit, atentatet në Stamboll etj.

Dokumenti u publikua mbrëmjen e së hënës, në të njëjtën ditë kur biznesmeni i kthyer në politikan u tha trupave në bazën ajrore “MacDill” në Florida, se sulme po ndodhnin në të gjithë Europën dhe se kishin arritur në një pikë kur ato nuk po raportoheshin më.

“Në shumë raste, mediet shumë të ndershme nuk duan t’i raportojnë sulmet. Ato kanë arsyet e tyre dhe ju e kuptoni këtë”, tha Donald Trump.

Presidenti po shfrytëzon sulmet terroriste për të justifikuar urdhrin që ndalon hyrjen e myslimanëve nga 7 vende dhe vazhdimisht i është referuar organizatave mediatike që e kritikojnë atë, si “fake news”. Ndërkohë, një artikull i publikuar së fundmi nga “New York Times”, ku thuhej se presidenti shihte televizor me robdeshambër, ka shtyrë Trumpin të akuzojë sërish gazetën për shpifje.

Top Channel