Reali i Madridit lë Hysajn pa picë

07/02/2017 00:00

Edhe pak ditë e ndajnë Napolin nga përballja historike me Realin e Madridit, e vlefshme për 1/8 e Champions League. Klubi italian po e vlerëson maksimalisht këtë ndeshje dhe në kuadër të kësaj sfide do të ndryshojnë edhe dietën.

Sipas gazetës napolitane “Il Mattino”, Hysaj me shokë do të nisin një dietë të veçantë të përgatitur nga 3 specialistë italianë ushqimi dhe kjo dietë e ndalon rreptësisht picën, specialitetin e qytetit të Napolit.

Për mëngjes vetëm ushqime që treten lehtë. Nuk bëhet fjalë për kapuçino dhe kroasan. Kafe, drithëra, musli, fruta të stinës dhe fruta të thata. Ata që duan të kripurat, proshutë krudo dhe parmixhan.

Për drekë do të ndiqet dieta mesdhetare. Lojtarët mund të hanë makarona, oriz, vaj ulliri, domate mish i bardhë, pulë ose peshk.

Edhe pse pica lejohet të hahet 48 orë para ndeshjes, Napoli ka vendosur që këtë javë të mos konsumojë fare picë, në mënyrë që në Bernabeu futbollistët të jenë në 100% të formës. Ia vlen një sakrificë e vogël për të marrë rezultat ndaj Realit…

Top Channel