Afganistan, dhjetëra të vdekur pranë Gjykatës Supreme

07/02/2017 00:00

Të paktën 20 persona janë vrarë në një atentat me bombë në Gjykatën Supreme të Afganistanit, të ndodhur në Kabul, ndërsa 45 të tjerë janë plagosur. Raporti, gjithsesi, pritet të rritet edhe më shumë.

Kamikazi pati për objektiv parkimin e gjykatës, sipas të dhënave nga media, ku tentoi të vriste sa më shumë punonjës të gjykatës që të mundej, teksa këta të fundit largoheshin nga puna për në shtëpi.

Të plagosurit janë transportuar menjëherë për ndihmën e parë në spital. Deri më tani askush nuk e ka marrë përsipër sulmin, që vjen pas një serie atentatesh vdekjeprurëse të ndërmarra nga talebanët dhe militantë të tjerë gjatë muajve të fundit.

Sulmi i sotëm ka ardhur vetëm pak orë pasi një zyrtar i lartë i provincës perëndimore Farah mbeti i vrarë sërish nga një bombë, që u mor përsipër nga talebanët.

Kamikazi ka qenë në këmbë dhe aktivizoi eksplozivin që mbante në një rrip brezi, tha Najib Danish, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. “Unë dhe babai im ishim duke dalë nga parkingu në momentin kur një shpërthim i madh na tronditi”, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “AFP”. “Babai im ndërroi jetë… Si do të jetoj unë tashmë pa të?”, vijoi ai.

Forca e madhe e shpërthimit thuhet të ketë tronditur edhe disa objekte të tjera pranë vendngjarjes, duke thyer xhamat e tyre dhe duke mbetje të shumta nëpër rrugë. Presidenti Ashraf Ghani e quajti atentatin “një krim kundër njerëzimit dhe një akt të pafalshëm”.

Në të kaluarën, institucionet e drejtësisë në Afganistan, përfshi Gjykatën Supreme në Kabul, kanë rënë prè e sulmeve të militantëve talebanë. Muajin e kaluar, dy sulme me bomba pranë Parlamentit në Kabul, që u morën përsipër nga talebanët, vranë mbi 30 persona dhe plagosën shumë të tjerë.

Top Channel