Dixhitalizimi i pronave, Vasili te Hipoteka, u përpunuan 60 përqind e dosjeve

07/02/2017 00:00

Ministri i ri i Drejtësisë ishte në zyrën e Hipotekës në Tiranë për të parë nga afër punën për dixhitalizimin e regjistrit të pronave. Deri më tani janë hedhur në sistem 60 përqind e dosjeve.Petrit Vasili tregon edhe se cila do jetë sfida e tij në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

“I gjithë fokusi i gjërave të mia është e mira e qytetarit. Kjo e mirë na ka sjellë këtu, kësaj të mire do t’i bëjmë shërbim dhe për të gjitha gjërat e tjera do t’i vendosim në qendër atë që qytetari pret dhe atë që qytetari do dhe ajo që qytetarit i mungon”, tha ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili.

Ky projekt ka si qëllim të rregullojë cilësinë e shërbimeve për qytetarët, ku kompjuterizimi i të dhënave do shkurtojë procedurat dhe nuk toleron gabime.

Ilirjan Muho, përgjegjës i projektit, sqaroi se së shpejti do hapen edhe 27 zyra të tjera për t’u ardhur pranë njësive që nuk kanë një drejtori hipotekash.

“Tashmë jemi në mes të këtij projekti, kemi realizuar rreth 60 % të volumit të punës së parashikuar dhe kjo garanton që projekti në fund të muajit qershor të jetë i realizuar, pra në fund të muajit qershor do të kemi të gjithë informacionin që është në zyrat tona për pjesën urbane dhe periurbane të republikës, i cili  do të jetë në format dixhital”, tha Ilirjan Muho.

Projekti i dixhitalizimit, përmirësimit, përditësimit, të të gjithë të dhënave ligjore dhe hartografike ka nisur në shtator të vitit 2016, dhe ka për synim hedhjen të 700 mijë pasurive të paluajtshme.

Top Channel