“Më shumë se një klub”, te Barcelona, jo vetëm një moto

07/02/2017 00:00

“Më shumë se një klub” nuk është thjesht një moto për Barcelonën. Te skuadra katalanase, ajo aplikohet pikë për pikë me futbollistët që tashmë kanë krijuar imazhin e një familjeje të madhe.

Ivan Rakitiç zbulon disa momente nga jeta jashtë fushës së lojës së futbollistëve të Barcelonës. Në një intervistë për median kroate, Rakitiç tregon se futbollistët e skuadrës katalanase preferojnë më shumë darkat familjare sesa festat në klube e bare. Por jo vetëm kaq, mesfushori kroat thekson se kampionët e Spanjës janë të apasionuar pas lojërave të tilla si “Mos u nxeh”. Sipas tij, udhëtimet për ndeshjet në transfertë janë një mundësi për të qëndruar në grup dhe jo të veçuar duke dëgjuar muzikë.

“Kur udhëtojmë, gjithnjë luajmë e bëjmë shaka me njëri-tjetrin”, tregon Rakitiç. “E di që shumë njerëz mendojnë se jeta e një futbollisti është modë, festa të çmendura, por jo për ne. Së fundmi Suarez na ftoi për 30 vjetorin e tij dhe gjithçka shkoi në mënyrën më normale të mundshme. Bëmë dhurata, biseduam, u argëtuam kaq ishte gjitha. Shumica e futbollistëve të Barcelonës, përfshi edhe Messin e Suarez janë familjare dhe e evitojnë pjesëmarrjen në festa të ndryshme”.

Top Channel