Rivlerësimi i pronave, Ahmetaj: 27 mijë familje përfituan 156 mln dollarë

07/02/2017 00:00

Mundësia për të rivlerësuar pasuritë e patundshme me taksa të ulëta është shfrytëzuar masivisht nga qytetarët. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi këtë të martë se vetëm për katër muaj janë rivlerësuar me mijëra prona.

“Buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 20 milionë dollarë, ndërkohë që për shkak të kësaj takse të ulët, qytetarët kanë kursyer 156 milionë dollarë. Pra, nëse tatimi për rivlerësimin e pronës do ishte 15%, pagesa do të ishte 156 milionë dollarë më shumë. Kursimi është i dukshëm dhe ajo që është për t’u shënuar është se vlera e rivlerësuar e pasurisë së qytetarëve, pra vetëm diferenca (nga vlera historike, në vlerën e tregut) në kaq pak muaj është 1 miliard dollarë plus”, tha Ahmetaj.

Shitja e një prone taksohet me 15 për qind mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes. Por në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Financave miratoi një udhëzim, i cili i jep mundësi qytetarëve apo biznesit që t’i rivlerësojnë pronat me çmimet e tregut duke paguar një taksë jo 15 për qind, por vetëm 2 për qind.

“Deri më sot, nga dita e parë që ligji hyri në fuqi më 1 shtator 2016, janë 27 mijë aplikime në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pra janë 27 mijë familje shqiptare që kanë përfituar një tatim të ulur nga 15% në 2%”, nënvizoi ministri Ahmetaj.

Afati përfundimtar i kësaj lehtësie ishte parashikuar fundi i muajit shkurt. Por për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve, Ministria e Financave i propozoi qeverisë shtyrjen e afatit deri në 31 maj.

Top Channel