BQE kundër Trump

07/02/2017 00:00

Urdhri i Donald Trump-it për rishikimin e rregullave mbi parandalimin e një krizë financiare si ajo e 2008-s, e ka shqetësuar kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.

Lehtësimi i rregullave bankare është gjëja e fundit që na nevojitet në këtë moment, tha Draghi përpara komisionit të çështjeve ekonomike në Parlamentin Europian. Janë pikërisht rregullat në fjalë, argumentoi ai, që kanë prodhuar një industri më të fortë shërbimesh bankare e financiare nga sa ishte përpara krizës.

“Besoj se vetë fakti që nuk kemi parë më zhvillime të forta për sa i përket rrezikut ndaj stabilitetit financiar duhet konsideruar si shpërblim për punën e bërë në këtë drejtim nga ligjvënësit, rregullatorët dhe mbikëqyrësit”, tha Mario Draghi, president i BQE-së.

Kreu i BQE-së preku dhe një çështje tjetër në fjalën e tij, atë të akuzave amerikane se Gjermania është një manipuluese e monedhës. Peter Navaro, kryetari i Këshillit Kombëtar amerikan të Tregtisë, pat dalë më herët me pretendimin se Berlini po përdor një euro shumë të zhvlerësuar për avantazhe të pandershme tregtare.

“E para fare, ne nuk kemi manipulues të monedhës. E dyta, politikat monetare që kemi implementuar reflektojnë faktin që Eurozona dhe Shtetet e Bashkuara janë në pozicione krejtësisht të ndryshme nëse i referohemi qerthullit ekonomik”, tha Draghi.

Draghi refuzoi po kështu dhe idenë që Banka Qendrore të refuzojë stimujt për Eurozonë duke qenë se inflacioni tani po rritet, me argumentin se nuk organizimi i drejtuar prej tij nuk reagon ndaj luhatjeve të përkohshme dhe afatshkurtra.

Top Channel