Vdekja e Ardit Gjoklaj, dërgohen për gjykim dy personat përgjegjës

07/02/2017 00:00

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim personat e akuzuar për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, ngjarje e ndodhur më 7 gusht të vitit të kaluar.

Nga hetimi rezulton se përgjegjësi i turnit i kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur 17-vjeçari, i cili punonte pranë kësaj kompanie.

Për këtë çështje, krahas hetimeve të nisura për vdekjen e 17-vjeçarit, janë duke u zhvilluar hetime edhe për përgjegjësitë e mundshme të kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana” dhe Bashkisë së Tiranës, bazuar në një kallëzim të dorëzuar nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike.

Vlen të theksohet se pavarësisht hetimeve të prokurorisë, kompania “Eco Tirana” është themeluar më 5 dhjetor 2016, disa muaj pas vdekjes së 17-vjeçarit.

Hetimi për kompanitë dhe Bashkinë e Tiranës u veçua nga hetimi kryesor për vdekjen e Ardit Gjoklaj, për faktin se po përfundonin afatet e paraburgimit për dy personat e konsideruar përgjegjës për vdekjen e punëtorit, për të cilët përfundoi hetimi dhe u dërguan për gjykim.

Sipas hetimeve rezulton se Arditi kishte plagë të shumta të shkaktuara nga mjete të tonazhit të rëndë. 17-vjeçari punonte në landfillin e Sharrës prej një muaji, aty ku subjekti “3R” sh.p.k ushtron aktivitetin e përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane në bazë të një aktmarreveshje me Bashkinë Tiranë, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij, ishte i veshur me uniformën e punëtorit në landfill, kominoshe ngjyrë gri dhe doreza të gomuara pune.

Top Channel