Basha në Kamëz, takime me qytetarët: Bashkohuni në protestë

07/02/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua mëngjesin e sotëm me qytetarë të Kamzës, ku dhe vizitoi disa familje në nevojë.

Ai bisedoi me ta për gjendjen e vështirë ekonomike që po përjetojnë për shkak të papunësisë dhe braktisjes nga shteti.

Zoti Basha takoi familjen e Shyqyri Durishtit, i arrestuar nga policia pasi tentoi të çonte energji elektrike në shtëpi për familjen e tij, të pallogaritur nga ndihma ekonomike shtetërore, pavarësisht gjendjes së banesës dhe kushteve të jetesës.

Përpara mediave, kreu i opozitës i bëri thirrje qytetarëve të ngrenë zërin për padrejtësitë dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen PD-së më 18 shkurt.

“Të ngrihemi të gjithë bashkë në këtë lëvizje, të frymëzuar edhe nga zmbrapsja e qeverive të korruptuara në vendet europiane, e arritur vetëm përmes forcës së njerëzve dhe zërit të qytetarëve”, tha Basha.

Pas vizitës në shtëpitë e disa familjeve të pamundura ekonomikisht për të përballuar jetesën, kryetari i demokratëve ndaloi për të diskutuar me banorët mbi mundësinë e një zgjidhjeje që, siç tha ai, do të nisë më 18 shkurt, për tu shtrirë më pas në gjithë Shqipërinë.

Top Channel