Parkimi në Tiranë, Veliaj shpjegon sistemin e ri elektronik

07/02/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi këtë të martë sistemin e ri të parkimit në kryeqytet.

Kryebashkiaku thotë se do eleminohet pagesa në dorë e parkimit dhe me bashkëpunimin e katër kompanive celulare parkimi do mund të paguhet që këtë muaj, me anë të një mesazhi në numrin 50 500.

“Duke filluar nga ky muaj do bëjmë që çdo qytetar të mund të paguajë nga celulari i vetë parkingun për aq sa do qëndrojë, duke çuar numrin e targës tek numri 50 500 dhe do të ketë mundësi të rrijë për një orë. 10 minuta para skadimit të afatit do të vijë një mesazh që do të thotë “mund ta lëvizësh makinën”, ose “mund të paguash për një orë tjetër””, sqaroi Veliaj.

Ai u shpreh se, kjo është mënyra më moderne se si bashkia sjell Tiranën në nivelin e qyteteve më të zhvilluara, duke shmangur kontaktin fizik.

“Falenderoj të katra kompanitë celulare që janë bërë bashkë për t’u ofruar këtë mundësi qytetarëve të Tiranës, ku eleminohet kontakti dhe mund të bësh pagesën e parkingut me një sms”, tha Veliaj.

Gjithashtu, saktësoi ai, të gjithë inspektorët do të pajisen me një tabletë ku mjafton të fusin targën e makinës dhe do të kuptojnë nëse është paguar parkingu dhe sa kohë i ka mbetur.

“Nëse parkingu është i paguar, atëherë inspektori do të lëvizë për të kontrolluar një mak tjetër. Nëse jo do të vendoset gjoba përkatëse”, shtoi Veliaj.

Top Channel