Barca-Atletico…për finalen e Kupës

07/02/2017 00:00

Barcelona dhe Atletico Madrid do të vihen sërish përballë njëra-tjetrës në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales të Kupës së Mbretit, sfidë që do të luhet në Camp Nou.

Katalanasit vijnë në këtë ndeshje me avantazhin e fitores së javës së kaluar 2-1 në Vicente Calderon, por për Luis Enriquen llogaritë e kualifikimit për në finalen e katërt radhazi nuk janë mbyllur.

Në Camp Nou, Barcelona nuk do të ketë në dispozicion Neymar, pasi është i skualifikluar për shkak kartonash, por do të jetë Luis Suarez, i cili u la pushim në sfidën e fundjavës me Athletic Bilbaon.

Po kështu në fushë pritet të jetë edhe Gerard Pique, i cili u zëvendësua në fundjavë për një problem muskular që në fund nuk rezultoi aspak problematik.

Në krahun tjetër, Atletico që nuk fiton në Camp Nou që nga 5 shkurti i 2006, do të duhet që të shënojë të paktën 2 gola për kualifikimin në finalen e Kupës së Mbretit.

Trajnerit Simeone do t’i duhet të hedhë në fushën e lojës një skuadër pa kapitenin Gabi, që ashtu si Neymar është i skualifikuar për shkak kartonash. Por trajneri argjentinas do të besojë te Griezmann e Torres me këtë të fundit që e jep më të mirën pikërisht në muajin shkurt.

Top Channel