SHBA, apelohet pezullimi i vizave

07/02/2017 00:00

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara mbron urdhrin e Donald Trump, që u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA të shtetasve nga shtatë vende kryesisht myslimane dhe e ka apeluar vendimin e dhënë nga një gjykatës federal për pezullimin e tij.

Në kërkesën prej 15 faqesh të paraqitur në apelimin e vendimit, Departamenti thotë se ligji në fjalë është në autoritetin e Presidentit për mbrojtjen e interesave dhe të sigurisë së amerikanëve dhe jo një ndalim vetëm për myslimanët.

Apelimi është adresuar në Gjykatën e Apelit në San Francisko, e cila pritet të vendosë këtë të martë nëse do të lërë në fuqi vendimin e gjykatësit federal të Uashingtonit apo do ta anulojë atë duke rikthyer në fuqi urdhrin e Donald Trump.

Gjyqtari federal i Seattle, në shtetin e Uashingtonit, James Robart, emëruar nga George Bush në vitin 2004, urdhëroi pezullimin e përkohshëm të deportimit dhe ndalimit të hyrjes të të gjithë të prekurve nga urdhri i Presidentit Trump në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara.

“Në bazë të rrethanave dhe provave që u paraqitën këtu, gjykata vendos se duhet të ndërhyjë për të përmbushur rolin e saj kushtetues në sistemin tonë qeverisës tripalësh”, shkruan në vendimin e dhënë gjyqtari.

Nisma në fjalë e Donald Trump pezullon për 4 muaj programin e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve dhe vendos një bllokim të pakufizuar në kohë për të gjithë refugjatët sirianë dhe një pezullim prej 90 ditësh të vizave për shtetasit e Irakut, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.

Sipas të dhënave të autoriteteve, deri më tani janë bllokuar ose anuluar krejtësisht rreth 60 mijë viza nga shtetas të këtyre vendeve.

Top Channel