Superiorja, publikohet axhenda e fundjavës

07/02/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi axhendën futbollistike të fundjavës për elitën e klubeve tona duke shpërndarë javën e 21 të kategorisë Superiore në 3 ditë.

Kështu Partizani pretendent për titullin, do të impenjohet të premten në Durrës ndaj Teutës, në një 90-minutësh të vështirë, në stadiumin “Niko Dovana”, duke llogaritur që vendasit rrezikojnë mbijetesën.
Të Kuqtë janë aktualisht në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Skënderbeun, por një sukses potencial do ta ngushtonte edhe pse përkohësisht, distancën me kryesuesit e Kukësit.

Ky i fundit do të impenjohet në stadiumin “Semlan Stërmasi” ndaj Tiranës, të shtunën në orën 17:00. Kjo ndeshje do të jetë një replay i përballjes në kupë ku triumfuan kryeqytetasit, por këtë herë llogaritë janë ndryshe pasi verilindorët kanë fokusin kryesor tek titulli.

Po të shtunën, Skënderbeu do të ketë një përballje në shtëpi me Laçin, ndërsa Vllaznia do të presë Flamurtarin, të dy ndeshje që startojnë në orën 14:00.

Java e 21-të e ul siparin në Gjirokastër, ku Luftëtari pret Korabin, dy ekipe që pritej të luftonin për mbijetesë por që fatet sezonale i kanë hedhur në të tjera pozita, vendasit drejt Europës dhe dibranët thuajse pa asnjë shpresë qëndrimi në Superiore.

Top Channel