Të enjten miratohet ligji i ri për arsimin profesional

07/02/2017 00:00

Driloni është një i ri 16-vjeçar, i cili zgjodhi të studiojë në shkollën e mesme profesionale të Kamzës, në një degë, që siç tregon ai vetë e ka zgjedhur për disa arsye.

“Kam zgjedhur hoteleri turizëm sepse është degë e mirë, që mund të gjesh punë më lehtë dhe paguhet më mirë”, thotë Driloni.

Ditën e enjte në parlament do të miratohet ligji i ri për arsimin profesional, i cili i dikton ministrisë së mirëqënies sociale detyra të reja. Një prej tyre është transformimi i shkollave profesionale në qendra multifunksionale, ku 50% bëhet mësim teorik dhe 50% praktikë në biznes.

“Jemi këtu për të inauguruar 6 laboratore të kësaj shkolle, 3 në fushën e IT-së dhe 3 në fushën e mekanikës elektrike, me vlerë 150 mijë euro dhe po ashtu laboratorët e hoteleri-turizmit, që kjo shkollë ka, me vlerë prej 50 mijë eurosh. Jemi tashmë në fazën që realisht diplomat e lëshuara nga shkollat tona profesionale të jenë diploma të krahasueshme me diplomat europiane”, tha ministri Blendi Klosi.
 
Ligji parashikon gjithashtu që çdo shkollë profesionale të ketë laboratorë, për këtë arsye ka nisur puna për realizimin e tyre në çdo institucion të arsimit profesional.
 
“Ajo që synojmë dhe që tashmë pothuajse e kemi realizuar në shkolalt tona, është që nxënësit e shkollave të jenë të gjithë të lidhur me një biznes ku të bëjnë praktikën dhe nëpërmjet praktikës të shikojnë edhe mundësitë e tyre të punësimit”, u shpreh Klosi.

Shkollat profesionale, veç të tjerash do të ofrojnë edhe kurse profesionale në përputhje me nevojat që ka biznesi.

Top Channel